Vath Koreshi

Vath Koreshi

Emri dhe vepra e Vath Koreshit zënë padyshim një vend në merituar në fondin e artë të krijimtarisë më elitare të letërsisë shqipe në kapërcyell të dy epokave. Të paktë janë ata shkrimtarë që me vlerat që mishëron vepra e tyre, arrijnë të përballojnë sfidat e seleksionuese në përqasje me prirjet dhe drejtimet letrare që shoqërojnë procesin evolutiv e të pandalshëm të ndërrimit të shekujve.
Me veprën e Koreshit letërsia jonë kombëtare dhe shoqëria shqiptare shënon një kulm, një nivel të ri zhvillimi intelektual dhe emancipimi shpirtëror. Tek ai më mirë se tek cilitdo autor tjetër, vihen re qartë ndikimi i drejtpërdrejtë që pati nga letërsia e traditës, kultivimi i saj në forma të reja në përqasje me frymën e kohës, duke depërtuar në hapësira të tjera jashtë barrierave të ndryshme estetike dhe ideologjike që ngrinte sistemi totalitar. Këtu vlen të përmenden vepra e tij të njohura si romanet Mars, Mali mbi kënetë, apo novelat Dasma e Sakos, Haxhiu i Frakullës, Balada e Kurbinit, si edhe vëllimi me tregime Kur zunë shirat e vjeshtës etj.
Në përgjithësi vepra e Koreshit, sidomos ajo e botuar pas viteve 90" periudhë kur Shqipëria u përfshi nga lëvizjet e mëdha social-politike, ashtu si edhe shumë vende të tjera të Evropës Lindore, mund të themi se krahas veprës së Kadaresë, proza e Koreshit ishte arti dhe letërsia tjetër që u përgjigjej synimeve, shijeve estetike, si edhe gjykimit të ashpër të kritikës dhe të publikut të gjerë këtej dhe matanë kufirit, për një art dhe letërsi të vërtetë, ku vërehej shkëputja nga format tradicionale dhe arkaike të të shkruarit, jashtë skematizmit kompozicional, i cili për fat të keq vazhdonte të kultivohej dhe të përhapej si një epidemi edhe në krijimtarinë e mjaft autorëve të tjerë shqiptarë të cilët vazhdonin të shkruanin edhe pas rënies së komunizmit, duke e kthyer këtë të fundit në një profil tjetër simetrik me modelet pararendëse, nga Letërsia e Realizmit Socialist në Letërsinë e Realizmit Antisocialist, si sintezë e papajtueshmërisë dhe mospërshtatjes me stadet bashkëkohore për lëvrimit e një letërsie ndryshe, në përputhje me kërkesat e kohës. Duhet të kihet parasysh që ishte tejet e vështirë për një shkrimtar të njohur, me fizionomi krijuese e stil të konsoliduar, që vepra e tij tashmë të përcillte vlera dhe prurje të reja si në anën stilistikore, në atë semantike si edhe në mesazhin që do të përcillte kjo vepër në përputhje me aspiratat e epokës që po lindëte, duke ndikuar në këtë mënyrë në thyerjen e mentalitetit që ekzistonte në ato vite, në një vend ku patriarkalizmi dhe kufizimet ideologjike patën formuar tek individi një karakter solid e të papërshtatshëm me vizionet dhe principet bazë të një shoqërie të lirë. Për rrjedhojë, në këto rrethana vepra, e Koreshit na shfaqet e plotë, dinamike, e mbrujtur me frymë postmodernise dhe njëkohësisht, duke shfaqur dendur elementë thelbësorë të identitetit kombëtar. Kjo vepër u bë në të njëjtën kohë bartëse e mendësisë përparimtare dhe e prirjeve për ndryshim që kërkonin të gjenin mishërim në artin e shkruar shqiptar duke ruajtur në të njëjtën kohë fizionominë, origjinalitetin dhe dallueshmërinë etnike që e karakterizonte kundrejt letërsive të tjera, qofshin ato ballkanike, europiane apo botërore.
Në këtë mozaik të ndërtuar mbi bazën e faktorëve të sipërpërmendur do të përmendnim veprat e tij kryesore si romanet Requiem për një Grua, Ulku dhe Uilli, Një Grua me të Verdha në Pyllin e Budës, Çafka si edhe përmbledhjen me novela Konomea.
Gjithashtu ylli i Vath Koreshit, spikat ndjeshëm edhe në fushën kinematografike. Është bërë si refren tashmë fraza në të cilën Vath Koreshi cilësohet me të drejtë si mjeshtri i skenarit në Shqipëri. Padyshim që Koreshi është ndër ata kineast, të cilët hodhën bazat dhe lëvruan me sukses gjininë e skenarit e cila ndryshe nga letërsia, deri në atë kohë kur doli kjo plejad krijuesish, mund të themi me bindje të plotë dhe bazuar në fakte konkrete se në Shqipëri nuk kish patur një traditë të mirëfilltë mbi të cilën të ndërtoheshin modele të reja në përputhje me frymën dhe me kërkesat e kohës.
Koreshi është prijëtari dhe modeli më i përkyer i krijimit të kësaj tradite të suskseshme në Kinematografinë Shqiptare por njëkohësisht, edhe një ndër figurat kryesore në këtë zhanër, i cili pas një përvoje të gjatë dhe të sukseshme në këtë fushë, mundi të ridimensionojë format dhe koncepet që ekzistonin për mënyrën e të shkruarit dhe të pasqyruarit të realitetit shoqëror shqiptar që nga zanafilla e tij e deri në ditët e sotme në mjaft nga veprat më të suksesshme artistike dhe kinematografike në Shqipëri.
Vlen për t'u theksuar se Vath Koreshi si personalitet i shquar i kulturës kombëtare, dha një kontribut të vyer në reformimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të pluralitetit të mendimit dhe forcimit të frymës demokratike në politikën shqiptare. Ai ishte një ndër ata intelelektualë të cilët nuk qëndruan indiferentë ndaj ndryshimeve të mëdha shoqërore dhe politike që po zhvilloheshin në Shqipëri, përkundrazi ky brez krijuesish me potencialin intelektual që bartnin në vetvete dhe popullaritetin që gëzonin në publikun e gjerë të jetës së vendit, ushtruan një ndikim të ndjeshëm për krijimin e një klime demokratike dhe të përparuar në kordinancë me normat morale e juridike, drejtimet politike si edhe me aspirimet intelektuale që përsilleshin nga vendet e ndryshme europiane.
Në këtë kontekst, theksoj, se tanimë vepra dhe figura e Vath Koreshit, kontributi dhe roli i jashtëzakonshëm që ai luajti në përsosjen dhe konsolidimin e mëtejshëm të këtyre tri komponetëve të rëndësishëm e aq të domosdoshëm për stadet e zhvillimit të një shoqërie, në mënyrën e pasqyrimit objektiv të procesit të saj në kalimin nga epoka feudale, në atë totalitare dhe së fundmi në epokën moderne, janë veçori kyçe që e sendërtojnë imazhin e këtij personalitetit të shquar në dimensionet e duhura, mbi të cilat ai ngrihet.
Le të jetë ky shatëdhjetvjetor i lindjes së tij si pikënisje për hulumtimin dhe botimin e veprave studimore që kanë të bëjnë me evidentimin dhe vlerësimin e vlerave të jashtëzakonshme që bart kjo figurë shumë dimensionalëshe e cila ka qenë një ndër faktorët kryesorë, të zhvillimit dhe integrimit të Kulturës Shqiptare si pjesë e së tërësishmes në kulturat dhe hapësirat ndërkombëtare.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama